Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës ka hasur sërish në pengesa, pasi asnjëri nga kandidatët shqiptarë që kishin plotësuar kriteret nuk është paraqitur në intervistim.
Për pasojë, konkursi për dy pozitat e rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit shqiptar do të rishpallet. Kjo u bë e ditur gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite ishte zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Kryesuesja e Komisionit ad hoc, Arbërie Nagavci, njoftoi deputetët se gjashtë kandidatë shqiptarë kishin kaluar fazën e vlerësimit të kritereve dhe ishin ftuar në intervistim, por asnjëri prej tyre nuk u paraqit. Sipas saj, njëri kishte njoftuar se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët munguan.
Lidhur me këtë situatë pati reagime nga deputetët e opozitës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, theksoi se kandidatët nuk kishin dështuar në plotësimin e kritereve, por ishin tërhequr nga gara.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, bëri të ditur se njëri nga kandidatët kishte kërkuar që intervistimi të mbahej online, ndërsa të tjerët ishin tërhequr nga procesi.
Musliu, Zemaj dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikuan proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve publike, duke ngritur shqetësime për ndikimet politike dhe mungesën e mundësive të barabarta për kandidatët.
Ndërkohë, Kuvendi zgjodhi Ana Kostiqin nga komuniteti serb dhe Aldin Shabanin nga komunitetet e tjera joshumicë si anëtarë të Bordit të RTK-së. Pas hedhjes së shortit, të dyve iu caktua mandat dyvjeçar.







