Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se kjo parti nuk ka ndonjë problem me emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president, por ka theksuar se kandidatura e tij është pjesë e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Hamza, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe se nuk ka vërejtje personale apo politike ndaj Sejdiut.
“Nuk është marrëveshje me PDK-në, është marrëveshje me një subjekt tjetër politik, por është marrëveshje me LDK-në. As nuk kanë vërejtje personale, e as politike në raport me Sejdiun. Po, është marrëveshje jashtë tavoline me PDK-në. Nëse keni marrëveshje me LDK-në, bëjeni”, tha Hamza.
Ai ka kërkuar që deputetët të sillen në Kuvend dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre, duke iu referuar edhe çështjes së miratimit të ligjit.
“Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë; edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Po deputetët sillni në sallë dhe qyshdo le të votojnë. Nëse doni ta bëni ligjin, sillni 29 deputetët. Nëse duan, le të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë, qysh të duan”, u shpreh ai.
Hamza ka kritikuar edhe vonesat në konstituimin e Kuvendit, duke pretenduar se janë shkelur afatet kushtetuese.
“37 ditë e ka shkelur Kushtetutën për moskonstituimin e Kuvendit. Më 21 shtator ne e kemi sjellë ligjin në Kuvend dhe sot, në orët e fundit, nuk mundesh me imponu marrëveshjen”, deklaroi Hamza.
Në fund, kreu i PDK-së ka përsëritur se çështja e zgjedhjes së presidentit dhe miratimi i ligjit nuk duhet të ndërlidhen.
“Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bërë ligjin”, përfundoi Hamza.







