Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse kishin qenë të informuara për rrezikun që i kanosej Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Në një konferencë për media, ku prezantoi raportin mbi veprimet dhe mosveprimet institucionale para vrasjes së saj, Gërvalla tha se dokumentacioni i shqyrtuar ka evidentuar mangësi serioze, vonesa dhe dështime në trajtimin e rastit nga institucionet përgjegjëse.
Ajo bëri të ditur se raporti përfshin periudhën nga 10 korriku, kur Arlinda Zekaj kishte raportuar për herë të parë dhunën, deri më 25 tetor, kur u vra.
Megjithatë, sipas ministres, raporti nuk është ende i plotë, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar përgjigjet dhe dokumentacionin e kërkuar.
“Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet, por edhe mosveprimet e tyre nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik, e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuara nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre, madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, deklaroi Gërvalla.
Duke paraqitur kronologjinë e rastit, ministrja tregoi se më 10 korrik 2026, Zekaj ishte drejtuar në Policinë e Kosovës, ku kishte raportuar dhunë fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas saj, viktima kishte raportuar edhe kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe kishte njoftuar policinë se ish-bashkëshorti posedonte armë me leje.
Gërvalla theksoi se një tjetër problem me të cilin ishte përballur Arlinda Zekaj kishte qenë pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakte të rregullta me djalin e saj 12-vjeçar.
Ajo tha se, ndonëse ishte bashkëpronare e shtëpisë, Zekaj kishte raportuar se ish-bashkëshorti dhe disa familjarë të tij po e pengonin të hynte në pronën e saj.
Një tjetër moment i rëndësishëm në kronologjinë e rastit ishte 7 shtatori, kur Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i kishte shkruar gjykatës duke shprehur frikën për jetën e saj dhe të fëmijës.
“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë, ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, tha Gërvalla.
Ministrja u ndal edhe te trajtimi i kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë, për të cilën tha se raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore gjatë procedurave për urdhrin e mbrojtjes emergjente.
Sipas kronologjisë së prezantuar, më 7 shtator gjykata kishte miratuar vetëm pjesërisht kërkesën e Arlinda Zekajt për mbrojtje, ndërsa dy ditë më vonë, më 9 shtator, ajo kishte kundërshtuar vendimin, pasi sipas saj, ai nuk përfshinte edhe çështjen e kujdesit për djalin e saj.







