Në një deklaratë lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e krijuar, veçanërisht në Tiranë.
Në deklaratë, ata dënojnë përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private, duke u bërë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune.
“Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me raportimet për përdorim të tepruar të forcës policore ndaj protestuesve.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian u bëjnë thirrje autoriteteve të tregojnë përmbajtje dhe organeve përgjegjëse të hetojnë çdo rast dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës.
“Gjithashtu shprehim shqetësim serioz në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të përdorin përmbajtje. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës”, theksohet në deklaratë.
Deklarata poashtu nënvizon rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim dhe shprehje paqësore, të garantuara nga Karta e BE-së për të Drejtat Themelore dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ne bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë midis të gjitha palëve të interesuara, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kuptimplote për të adresuar çdo ankesë të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata.









