Analistja politike Pranvera Ejupi ka komentuar përplasjet e sotme mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te përplasja ndërmjet deputeteve të LDK-së, Vjosa Osmani dhe Hykmete Bajrami.
E ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, Ejupi ka kritikuar mënyrën se si u zhvillua ballafaqimi mes dy deputeteve, duke thënë se përplasjet e tilla nuk i bëjnë nder partisë.
“Me të thënë të drejtën, ishte shumë e ashpër Hykmete Bajrami me Vjosa Osmanin. Personalisht, nuk e kam fare qejf që të ballafaqohen dy gra, aq më tepër kur në Kuvend ka vetëm një të tretën gra”, është shprehur Ejupi.
Ajo ka thënë se, pavarësisht mospajtimeve brenda partisë, kritikat publike dhe përplasjet e tilla nuk janë në të mirë të LDK-së.
Sipas saj, problemet dhe mospajtimet brenda një partie duhet të trajtohen fillimisht përmes diskutimeve të brendshme, e jo përmes ballafaqimeve para publikut.
“Zonjës Hykmete Bajrami nuk i bën nder të dalë dhe ta kritikojë aq ashpër zonjën Osmani. Kur je në një parti dhe del me deklarata të tilla, faktikisht nuk je duke i bërë nder partisë. Duhet që fillimisht t’i marrin vendimet dhe t’i diskutojnë gjërat brenda partisë, para se të dalin para publikut”, ka deklaruar ajo.
Ejupi ka përmendur gjithashtu edhe problemet e brendshme që, sipas saj, kanë edhe partitë e tjera politike, duke thënë se ato nuk i bëjnë publike përmes përplasjeve të tilla.
Gjatë diskutimit, analistja është ndalur edhe te skenarët e mundshëm politikë për vitin e ardhshëm, duke përmendur mundësinë e largimit të një pjese të deputetëve nga subjektet e tyre politike dhe afrimin e tyre me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo ka thënë se në qarqe politike po flitet edhe për pakënaqësi të mundshme të Kurtit me disa prej ministrave të tij.
“Ky është një skenar për të cilin po flitet se mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, që një pjesë e tyre të bëhen pjesë e qeverisë dhe t’i bashkohen Kurtit. Po flitet, nga burime të afërta, se zoti Kurti është shumë i pakënaqur me ministrat e tij, pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë Ejupi.
Deklaratat e saj vijnë pas përplasjeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, ku pati ballafaqime verbale ndërmjet deputetëve.







