Michaelk Bogachek është propozuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Presidenti amerikan Donald Trump tashmë i ka dërguar Senatit amerikan emrin e tij për konfirmim.
Aktualisht, Bogachek është drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane, ku mbikëqyrë operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative.
Kjo organizatë përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.
Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.
Ish-ambasadori kosovar në ShBA, Avni Spahiu, thotë se mosangazhimi i tij në diplomaci nuk do të ketë efekt në punën e tij.
“Mund të jetë ambasador i mirë edhe pa ndonjë përvojë të madhe të diplomacisë, ambasadori është ai që i zbaton politikën e vendit të tij, të State Department të presidentit të SHBA-së, dhe unë mendoj që ata që kanë menduar që ta përfaqësojë Amerikën, nuk kanë gabuar”, ka thënë Spahiu.
Madje, ai vlerëson se do të ndikojë pozitivisht në punën e tij edhe prejardhja e tij nga Ukraina, tash në situatën e re të krijuar gjeopolitike.
“I njeh raportet sidomos raportet në atë pjesë të botës dhe mund të jetë si një nga arsyet për emërimin e tij pikërisht ana e njohurive lidhur me sigurinë që e ka bërë të emërohet. Mendoj që i njeh rrethanat edhe në Kosovë dhe po ashtu edhe rrezikun që vjen nga lufta hibride etj., nga përpjekjet e Rusisë për të depërtuar në këtë pjesë të rajonit”, u shpreh tutje Spahiu.
Por, sipas analistit politik, Fitim Gashi cili duhet të jetë fokusi më i madh në punën e ambasadorit dhe institucioneve?
“Prioritet për Qeverinë e Kosovës duhet të jetë dialogu strategjik që siç dihet ishte pezulluar nga ana e ShBA-së, pra planifikimi i nisjes së dialogut Strategjik me Kosovën. Siç e dimë për shkak të zhvillimeve në veri dhe për shkak të veprimeve të Qeverisë në pjesën e veriut që sipas SHBA-ve ato vendime nuk kanë qenë të koordinuara ose në sinkron me politikat e ShBA-ve”, tha Gashi.
Detyrën e ambasadorit, tash e dy vjet e kryente e ngarkuara me punë, Anu Prattipati.



