Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar ekstradimin nga Zvicra në Kosovë të një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje të dyshuar në veprën penale të dhunimit.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është realizuar më 11 nëntor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte në kërkim të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale të dhunimit.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se operacioni i ekstradimit është përmbyllur me sukses, ndërsa pas kthimit në Kosovë, personi i dyshuar iu dorëzua njësive përkatëse policore në Gjilan.
“Pas ekstradimit i dyshuari iu dorëzua njësiteve përkatëse të policisë DRP Gjilan për procedura të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje, Policia ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mekanizmat e rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit dhe në lokalizimin e personave që kërkohen nga organet e drejtësisë.
Në këtë drejtim, institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë koordinimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet më tej në njoftim.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e të dyshuarit apo rrethanat e veprës për të cilën kërkohej.
I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.







