Ecja në këmbë, më 1 nëntor, për një shtetas turk nuk ishte e zakonshme.
Derisa po lëvizte në rrugën “Ekrem Rexha”, në Prizren, pesë persona i dolën në pritë.
Por keqtrajtimi ndaj tij nuk përfundoi këtu.
Në këtë rrugë dyshohet se pesë shtetas turq kanë sulmuar fizikisht një bashkëkombës të tyre. Pas dhunës së ushtruar ndaj tij, ata dyshohet se e kanë futur me forcë në një automjet dhe e kanë dërguar në Prishtinë, ku e kanë mbajtur për 12 orë.
Dikush ishte kujdesur që e gjithë kjo ngjarje të filmohej.
E pikërisht kjo video do të bëhej arsye që Policia të niste hetimet, dy ditë pas rastit.
“Pas marrjes së informacioneve, Policia ka punuar në mënyrë intensive që fillimisht të identifikohej viktima. Pasi është intervistuar viktima, është kuptuar se bëhet fjalë për një shtetas turk. Pas intervistimit të tij dhe mbledhjes së provave të tjera, është arritur që më vonë të identifikohen edhe të dyshuarit e tjerë”, ka thënë Bytyqi.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren ka treguar edhe motivin që dyshohet se çoi deri te kjo ngjarje.
“Atij i është kërkuar që të mos punojë në një objekt ku ishte duke punuar. Policia, pas veprimeve të mëtejshme, ka arritur t’i identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë pesë të dyshuarit. Më datën 9 janë arrestuar katër prej tyre, ndërsa më datën 10 edhe personi i pestë. Të gjithë janë shtetas turq dhe pas intervistimit në prani të përkthyesit, janë ndaluar me urdhër të prokurorit”, u shpreh tutje Bytyqi.
Viktima ka marrë disa lëndime të lehta, ndërsa dyshohet se është sulmuar edhe me thikë.
Automjeti i përdorur në rast është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht me urdhër të prokurorit, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.






