Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) publikoi sot Deklaratën Preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas DnV-së zgjedhjet u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta.
“Procesi u administrua në mënyrë profesionale, ndërsa votuesit patën mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm dhe pa incidente serioze që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve. Megjithatë, këto zgjedhje u mbajtën në një klimë të lodhjes zgjedhore dhe me interesim dukshëm më të ulët të qytetarëve krahasuar me proceset e fundit parlamentare. Po ashtu, DnV vlerëson se vendime të institucioneve publike me ndikim elektoral kanë cenuar perceptimin e barazisë së garës ndërmjet subjekteve politike”, thuhet nga DnV.
DnV po ashtu ka evidentuar administrimin përgjithësisht efektiv të procesit zgjedhor, funksionimin profesional të mekanizmave të drejtësisë zgjedhore dhe interesimin e lartë të diasporës për pjesëmarrje në zgjedhje.
Deklarata e plotë:
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor u administrua në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit patën mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë.
Zgjedhjet u mbajtën në një kontekst të pazakontë politik dhe institucional, duke përbërë procesin e tretë zgjedhor në nivel vendi brenda një periudhe prej rreth gjashtëmbëdhjetë muajsh. Ky cikël i vazhdueshëm zgjedhor ishte pasojë e pamundësisë së akterëve politikë për të ndërtuar institucione stabile dhe për të siguruar konsensusin minimal të nevojshëm për funksionimin normal të sistemit institucional. Në krahasim me proceset e fundit zgjedhore, fushata dhe Dita e Zgjedhjeve u karakterizuan nga një lodhje zgjedhore e manifestuar në riciklim të ofertave të kaluara politike dh në ulje të motivimit qytetar për pjesëmarrje në zgjedhjes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve administroi shumicën dërrmuese të operacioneve zgjedhore në mënyrë profesionale dhe brenda afateve të parapara. Ndryshe nga disa procese të mëhershme zgjedhore, puna e KQZ-së u karakterizua nga më pak përplasje politike dhe një proces vendimmarrës më funksional. Organizimi i votimit brenda dhe jashtë Kosovës, përgatitjet teknike për Ditën e Zgjedhjeve, si dhe komunikimi publik me votuesit, u realizuan përgjithësisht në mënyrë efektive. Megjithatë, në disa raste KQZ ndërmori veprime që tejkalonin bazën ligjore ekzistuese, veçanërisht përmes disa dispozitave të miratuara në Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve dhe vendimit për lejimin e identifikimit të votuesve jashtë Kosovës me dokumente të skaduara, i cili më pas u anulua nga PZAP.
Votimi jashtë Kosovës u zhvillua pa probleme serioze dhe pa debatet politike që kishin karakterizuar procese të mëhershme. Interesimi i diasporës mbeti i lartë, me mbi 131 mijë votues të regjistruar dhe me pjesëmarrje mbi 82% në votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Administrimi i këtij segmenti të procesit ishte përgjithësisht efektiv. Megjithatë, publikimi në rrjete sociale i fotografive dhe videove që shfaqnin fletëvotime të plotësuara vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me fshehtësinë e votës dhe integritetin e votimit jashtë Kosovës.
Fushata zgjedhore u zhvillua në një ambient konkurrues dhe përgjithësisht të qetë. Subjektet politike patën mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe të komunikojnë lirshëm me votuesit në të gjithë territorin e vendit. Diskursi politik ishte më i moderuar krahasuar me disa procese të mëhershme zgjedhore dhe nuk u shoqërua me incidente serioze. Megjithatë, barazia e garës mbeti një nga shqetësimet kryesore të evidentuara gjatë kësaj periudhe. Vendimet e Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe subvencionimin e linjave ajrore për mërgatën në prag të zgjedhjeve krijuan ndikim në ambientin zgjedhor dhe cenonin perceptimin e barazisë së garës ndërmjet konkurrentëve politikë.
Mediat luajtën rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve gjatë periudhës zgjedhore dhe ofruan hapësirë për prezantimin e qëndrimeve të subjekteve politike. Megjithatë, raportimi dhe debatet publike shpesh u fokusuan më shumë në dinamikat e garës dhe retorikën politike sesa në analizimin e programeve dhe politikave konkrete të propozuara nga garuesit. Njëkohësisht, fushata zgjedhore vazhdoi të zhvendoset në masë të konsiderueshme në hapësirën digjitale, ku rrjetet sociale shërbyen si një nga kanalet kryesore të komunikimit politik. Përdorimi intensiv i përmbajtjeve të sponsorizuara dhe materialeve video konfirmoi rëndësinë në rritje të platformave online në garën zgjedhore, por njëkohësisht evidentoi vazhdimin e sfidave që lidhen me dezinformimin dhe shpërndarjen e informacionit të paverifikuar.
Oferta politike u fokusua kryesisht në çështje ekonomike dhe sociale, ndërsa debati publik shpesh dominohej nga mesazhe politike dhe slogane elektorale më shumë sesa nga diskutime të detajuara mbi politikat publike dhe realizueshmërinë e tyre. Fushata mbeti kryesisht e përqendruar rreth liderëve partiakë, ndërsa gratë vazhduan të jenë dukshëm më pak të përfaqësuara në debatet publike dhe hapësirën mediatike sesa në listat zgjedhore.
Dita e Zgjedhjeve u zhvillua në atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze që do të mund të cenonin integritetin e procesit. Hapja, votimi dhe mbyllja e vendvotimeve u administruan përgjithësisht në mënyrë të rregullt. Megjithatë, një nga problemet më të shprehura gjatë ditës mbeti vështirësia e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, fenomen i evidentuar në një numër të konsiderueshëm vendvotimesh. Po ashtu, sfidë vazhdon të mbetet qasja e personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit, si dhe rastet e fotografimit të fletëvotimeve dhe zbatimi jo gjithmonë i njëtrajtshëm i disa procedurave zgjedhore.
Një zhvillim veçanërisht pozitiv i këtyre zgjedhjeve ishte rënia e ndjeshme e votimit me asistencë. Të dhënat e DnV-së tregojnë se zbatimi më i rreptë i rregullave për këtë formë votimi ka ndikuar dukshëm në uljen e rasteve të evidentuara krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore, duke kontribuar në mbrojtjen e integritetit të votës.
Mekanizmat e drejtësisë zgjedhore funksionuan në mënyrë efektive gjatë tërë procesit. PZAP dhe Gjykata Supreme trajtuan ankesat dhe kontestet zgjedhore në afatet e parapara ligjore dhe demonstruan nivel të lartë profesionalizmi dhe konsistence në vendimmarrje. Krahas tyre, Prokuroria dhe Policia e Kosovës luajtën rol aktiv në trajtimin e rasteve të dyshuara për shkelje të të drejtave zgjedhore dhe në ruajtjen e integritetit të procesit.
Në përgjithësi, DnV vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan në një ambient demokratik, konkurrues dhe të qetë. Administrimi i procesit zgjedhor ishte përgjithësisht profesional, ndërsa institucionet përgjegjëse arritën të menaxhojnë me sukses shumicën e sfidave organizative dhe procedurale. Megjithatë, përdorimi i masave me ndikim elektoral nga institucionet publike, vështirësitë e vazhdueshme në orientimin e votuesve, pengesat në qasjen për personat me aftësi të kufizuara dhe disa mangësi në zbatimin e procedurave zgjedhore mbeten çështje që kërkojnë adresim në proceset e ardhshme zgjedhore.











