Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879 është duke dëshmuar për Zonën e Llapushnikut, komandant kryesor i të cilës zonë tha se ishte Fatmir Limaj.
Paraprakisht, përmes paraqitjes së një fotografie, dëshmitari identifikoi se numri 2 i duket si objekti i Shtabit të Zonës së Llapushnikut kurse nga këndi i fotografisë së dytë tha se nuk e ka të qartë nëse ishte ajo ndërtesa e Shtabit të kësaj zone.
Më tej, me paraqitjen e një videoje ku ishin disa ushtarë të UÇK-së që sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ishte ceremoni e betimit, dëshmitari identifikoi se ishin të pranishëm Musë Jashari, Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari.
Por, kjo video nuk u pranua si provë pasi që sipas gjykatës nuk ka lidhje me këtë dëshmitar, duke thënë se video është e pavlerë.
Tutje, u diskutua për komunikimin e urdhrave, e që dëshmitari tha se ka pasur rregulla por beson se nuk janë zbatuar tërësisht dhe kryesisht rregullat iu janë thënë gojarisht dhe jo me shkrim.
Ai foli për zinxhirin komandues të zonës së Llapushnikut, ku tha se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor, më tej përmendi komandantin tjetër Isak Musliu dhe zëvendësit e tij Shefqet Buçi dhe Ymer Alishani.
Ai tha se urdhrat komunikoheshin përmes komandës dhe se secili raportonte te eprori i tij.
Ndërkaq, i pyetur lidhur me një dokument në të cilën thuhet se UÇK-ja dhe populli shqiptar po goditen prapa shpinës me elemente kolaboracioniste, dëshmitari tha se nuk e kishte parë këtë dokument gjatë luftës por që kur kishin shkuar në Llapushnik ishte ndjerë njëfarë presioni se pse njerëzit e LDK-së janë kyçur në UÇK.
Kur u pyet se a thuhej nga ushtarët e UÇK-së se LDK ishte armik, ai tha se kishte dëgjuar se është thënë se janë njerëz të pabesueshëm apo nuk duhet t’i pranojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por që për të mësuar bazën e informacioneve për përgjigjet e dhëna të dëshmitarit, është kaluar në seancë private.
Po ashtu, disa nga përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të pamundura të dëgjohen.
Mbrojtja e Thaçit kërkon nga trupi gjykues të tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh
(Përditësuar, ora 10:12)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.
Kjo pasi që sipas tij, janë botuar disa artikuj rus e që janë pasqyruar në mediet evropiane se të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë marrë me trafikim të organeve.
Sipas Kehoe, kjo është false dhe se përderisa hetimi për trafikim ka përfunduar, dikush duhet të thotë që aktakuza nuk ka diçka që lidhet me trafikim të organeve.
Ai tha se nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, duke pretenduar se të akuzuarit janë përfshirë në këtë aktakuzë në trafikim të organeve, ndërsa theksoi se kjo nuk është e vërtetë.
Ndërkaq, çështja e dytë e diskutuar nga ai ishte lidhur me ndikimin në dëshmitarët, duke sqaruar se në disa artikuj është shënuar se Qeveria e Kosovës ka kontaktuar një person shqiptar në Gjermani, sipas të cilit është kërkuar t’i gjejë katër dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër Hashim Thaçit.
Sipas Keheo, është e kuptueshme që Zyra e Prokurorit të Specializuar të përdorë ndërmjetës, por kjo sipas tij është ndërhyrje në procesin e drejtësisë.
Këto çështje, i njëjti do i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.
Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, dëshmia e të cilit pritet të zgjas 4 deri në 5 ditë.
Pyetjet nga ana e ZPS-së është duke i bërë prokurori Matt Halling, i cili për qëllime identiteti ka kërkuar që seanca të kalohet në sesion privat.