Detaje nga takimet dhe biseda me një dëshmitar të Gjykatës Speciales, u dhanë në aktakuzën publike të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj Haxhi Shalës, Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit.
Aty pretendohet se takimet e veçanta të treshes me dëshmitarin, përmbanin gjuhë kërcënuese.
Duke i bërë presion Dëshmitarit 1 për të hequr dorë nga deklarata e tij, për të dhënë informacion të rremë, duke përdorur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për të frikësuar Dëshmitarin, përfshirë telefonatat dhe takimet personale.
Në aktakuzë përmendet edhe një shumë të hollash që dëshmitari kishte kërkuar në këmbim të arritjes së një marrëveshje.
Januzi i tha Dëshmitarit 1 se Shala i kishte kërkuar Januzit të transmetonte mesazhin se nëse Dëshmitari 1 e tërheq dëshminë e tij, atëherë Shala dhe të tjerët do t’i ofronin ‘ndihmë’. Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin 200 mijë euro, do të kishin marrëveshje.
Mirëpo, nëse këto pretendime nuk vërtetohen, ZPS-ja, vlerësohet se duhet të procedojë me hetime për deklarime të rrejshme.
“Nëse vërtetohen pretendimet e prokurorisë me prova, se të njëjtit kanë ndikuar, e kanë penguar zhvillimin e procedurës penale, ata të akuzuarit mund të ballafaqohen me pasoja ligjore dhe mund të dënohen. Në të kundërtën, nëse nuk vërtetohen, atëherë i bie barra prokurorisë që t’i fillojë hetimet ndaj personave që kanë deklaruar rrejshëm”, tha Fehmije Gashi-Bytyqi – avokate.
Ndaj Shalës, Bahtijarit e Januzit u zhvillua procedurë paraprake për gjashtë muaj, për ndikim në procedura penale të Gjykatës Speciale dhe pengim të administrimit të drejtësisë.