Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë janë betuar 515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti e ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual, duke e cilësuar forcimin dhe zhvillimin e FSK si një nga prioritetet kryesore.
Këto deklarata Kurti i bëri të premten, gjatë ceremonisë së betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, ku betimin e dhanë 515 ushtarë të rinj.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe të ushtarëve që ka pasur ndonjëherë Kosova, duke vlerësuar se të rinjtë që i bashkohen FSK-së po marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.
“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se 515 rekrutët e rinj përfaqësojnë një përforcim të rëndësishëm për FSK-në dhe angazhimin e Kosovës për të garantuar sigurinë dhe paqen.
“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, u shpreh kryeministri./teve1.info/







