Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer për miratim, duke e cilësuar atë si vazhdim të një loje politike me pritshmëritë e qytetarëve.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Berisha ka thënë se ky ligj nuk përbën zgjidhje për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe se miratimi i tij nuk nënkupton lirimin e tyre nga burgu.
Sipas tij, përmes këtij ligji po krijohen pritshmëri te qytetarët, ndërsa përgjegjësia për mungesën e rezultateve po bartet nga një palë te tjetra.
“Tash është vazhdim i një loje politike me shpresat e qytetarëve, ku secili po përpiqet ta largojë nga vetja atë përgjegjësi, duke e paraqitur këtë si një mekanizëm të ri për të arritur një rezultat politik”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka rikujtuar se edhe më herët kishte shprehur qëndrimin e tij se ligji nuk do të sillte ndryshime konkrete në proceset gjyqësore në Hagë.
“Edhe sot, në ditën kur është miratuar ky ligj, po e them përsëri: ky ligj, edhe nëse kthehet dhe miratohet, nuk ua hap dyert e burgut. Edhe nëse qëndron në objektivat që i ka pasur, ai nuk nënkupton falje, pafajësi apo ndryshim të konceptit me të cilin trajtohet UÇK-ja si organizatë kriminale”, është shprehur ai.
Berisha ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ligji nuk e zhbën aktgjykimin dhe as nuk garanton lirimin e të akuzuarve, pavarësisht nëse mund të ndikojë në çështje që lidhen me vuajtjen e dënimit.
“Ky ligj, edhe nëse kufizon vitet e burgimit, nuk e rrëzon verdiktin. Edhe nëse ua mundëson ta mbajnë burgun në Kosovë, kjo nuk do të thotë se lirohen. Edhe nëse presidentja ua fal dënimin, kjo nuk do të thotë se janë të pafajshëm”, ka thënë Berisha.
Ai ka vlerësuar se, në vend të një zgjidhjeje konkrete, qytetarëve po u ofrohen pritshmëri që nuk e adresojnë, sipas tij, problemin themelor të proceseve gjyqësore në Hagë.
“Por, në vend të zgjidhjes, kemi përsëri një shpresë të rreme që u shitet qytetarëve, vetëm se problemi themelor mbetet i pazgjidhur”, ka përfunduar Berisha.







