Rrugën e bllokuan për disa minuta.
Kështu, qarkullimi i automjeteve u ndërpre.
Në këtë mënyrë, banorët e Klinës protestuan, për shkak të zvarritjes së punimeve në segmentin rrugor Ura e Klinës e deri në hyrje të qytetit.
Protesta, sipas organizatorit të saj, vuri menjëherë në lëvizje kompanitë përgjegjëse.
“Sot veç kishin filluar punimet këtu prej kompanisë kontraktuese se e kanë hetuar që ne kemi me mbajt një protestë paqësore e cila ka synim që të fillojnë punimet. Ne jemi veç me filluar punimet me u asfaltuar rruga me na u krijuar kushte të mira ne bizneseve dhe qytetarëve”, tha Shkelqim Maloku-organizator i protestës.
Zvarritja e punimeve po u shkakton kokëçarje pronarëve të bizneseve.
“Përditë duhet me pastruar e nuk po mundem me pastruar si duhet se po e shihni sa kamionët, sa veturat dhe autobusët. Për ditë po i pastrojmë por e kot është s’po mundemi me mbërri. Institucionet nuk përgjigjen, Kuvendi Komunal thotë se është përgjegjësi e Qeverisë e Ministrisë së Infrastrukturës, por qe ku jemi”, tha Milazim Asllani –qytetar.
E dikush nga banorët, protestës iu bashkua me biçikletë.
“Kjo zgjidhje është për shkak të kësaj pamje, edhe kjo është shumë keq. Pushtetarët tonë nuk po këqyrin me rregulluar diçka, por menjëherë po këqyrin me prish. Kjo normal se është dashtë me u gërryer, por shkoj një kohë e gjatë e jemi në situatë shumë të keqe”, u shpreh Ragip Kryeziu-qytetar.
Kompania “Rahovica”, e kontraktuar për këtë projekt, fajin ia lë ministrisë së Infrastrukturës.
Pronari, Fehmi Krasniqi thotë se u dolën punë shtesë.
“Nuk është neglizhencë e jona, por është e Ministrisë së Infrastrukturës se aty kanë dal punë të paparaparë që kanë qenë me kontratë domethënë ka punë qa ka punuar përpara një kompani tjetër me një kontratë të komunës. E aty ku është sanimi i rrugës ka dal më shumë se sa që është i paraparë edhe ne ju kemi bërë shkresë ministrisë kërkesën për me bë rivizimin e projektit që ne të vazhdojmë deri ku e kemi, tjetrën ne nuk mundemi me sanuar pa e bërë një rivizim të projektit”, u shpreh ai.
Në një përgjigje për Tëvë1, vet ministria e pranon se kërkoi punë shtesë, pasi sipas tyre është paraqitur nevoja për disa sanime të domosdoshme.
“Pa kryerjen e këtij veprimi vendosja e një shtrese të asfaltit është me rrezik të degradimit të kësaj shtrese. Nuk ka pasur pengesa financiare. Gjatë kësaj jave do të përfundojme punimet”, u tha nga ministria.
Për çështjen e punimeve në këtë rrugë, nga komuna e Klinës thonë se kërkuan takim me ministrinë, mirëpo u refuzuan.
Ne i informojmë edhe qytetarët se ajo rrugë është e kontraktuar nga niveli qendror gjegjësisht nga Ministria e Infrastrukturës. Andaj ne kemi kërkuar që të kemi një takim me nivelin qendror, një takim trepalësh: niveli qendror, operatori edhe ne si Komunë me kusht që të dakordohemi dhe të shohim punimet se si do të zhvillohen por edhe se si janë duke u zhvilluar. Nuk është kanë e mundshme të bëjmë takim”, tha Enver Berisha drejtor i Urbanizmit.
Banorët kanë paralajmëruar se në rast se punimet nuk zhvillohen me intensitet të shtuar, do t’i vazhdojnë protestat.



