Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me vonesën në procedimin e Projektbuxhetit për vitin 2027, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mosrespektim të afateve ligjore.
Bajrami ka theksuar se projektligji është dashur t’i dorëzohet Kuvendit deri më 31 tetor, ndërsa sipas saj, miratimi në Qeveri është paralajmëruar për 2 nëntor.
“Buxheti i Republikës fillimisht ‘kaloi’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën e vendimmarrjes, duke thënë se për Kurtin partia po vendos mbi ligjin dhe afatet institucionale.
“Buxheti është i shtetit/qytetarëve, jo i partisë. Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët”, ka thënë ndër të tjera Bajrami.







