Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një adresim para deputetëve, para fillimit të seancës plenare, ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e muajit nëntor, duke përmendur edhe Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rrënjët historike të kësaj force në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi në ditë të rëndësishme, në ditët e nëntorit. Nesër është Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë që i ka rrënjët te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka përkujtuar gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.
“ Në këto ditë të fundit të nëntorit kujtojmë ngjarjet që e kthyen rezistencën tonë të armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka folur edhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë.
“E teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vijë në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, ka deklaruar Haxhiu.








