Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit mund të dështojë edhe ditën nesërme (9 shtator).
Ai në emisionin “Infonata” në Tëvë1 deklaron se tashmë janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk përjashtohet mundësia që edhe nesër të dështojë konstituimi i Kuvendit. Mund të kërkohet sërish afat shtesë, siç ka ndodhur edhe dy herët e kaluara. Tashmë jemi në një situatë ku janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese. Gjykata Kushtetuese edhe në të kaluarën i ka vendosur afatet, por jo edhe sanksionet në rast se nuk respektohen afatet”, ka thënë Ardian Bajraktari të martën në “Infonata”.
Bajraktari ndër të tjera vlerëson se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.
“Mund të ketë kalkulime që të shkohet në zgjedhje dhe ato mund të organizohen në fund të dhjetorit”, theksoi Bajraktari.
Kuvendi i Kosovës ka dërguar njoftim për vazhdimin e seancës konstituive e cila pritet të mbahet nesër me fillim nga orën 11:00.
Në rendin e ditës të dërguar nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit janë dy pika, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në dy raste, deputetët u mblodhën për konstituim, por kryetari i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e presidentit.
Sipas tij, pa marrëveshje për presidentin zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme.
VV, PDK dhe LDK kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, por jo edhe Aleanca.







