Policia e Kosovës ka njoftuar se është funksionalizuar integrimi ndërmjet Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) dhe platformës shtetërore e-Kosova, duke u mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë në informatat për gjobat dhe masat në trafik.
Përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të njoftohen përmes platformës e-Kosova dhe mesazheve SMS sapo të regjistrohet një gjobë në sistem.
Po ashtu, në platformë do të mund të shihen informatat për gjobat e shqiptuara dhe masat mbrojtëse.
Ndërsa pronarët e bizneseve do të kenë mundësi të qasen në raportin përkatës për gjendjen e gjobave të tyre.
Sipas Policisë së Kosovës, raporti përfshin informata për gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentë-shoferit, si dhe pikët negative të regjistruara në sistem.
Policia vlerëson se ky integrim do të kontribuojë në rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes në informata dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë platformën e-Kosova për t’u informuar rreth gjobave dhe masave në trafik, duke theksuar përkushtimin për avancimin e shërbimeve publike dhe ofrimin e shërbimeve më efikase e më të qasshme për qytetarët.




