Shkruan: Agron Hoti
“Turqit do të jenë të dobishëm në strategjinë antiruse të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta inkurajojnë Turqinë për t’u dyndur nga veriu, në Kaukaz, gjithashtu do të duan ta rrisin ndikimin turk në zonat muslimane të Ballkanit si dhe në shtetet arabe në jug. SHBA-ja do ta ndihmojë Turqinë të rritë aftësitë e saj detare – det, ajër, hapësirë – për të sfiduar rusët në Detin e Zi…..Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që munden për të inkurajuar zhvillimin ekonomik turk, i cili më pas do të stimulojë ekonominë e Turqisë tashmë në rritje.“ Shkëputur nga libri bestseller ndërkombëtar „100 Vitet e ardhshme – Parashikim për shekullin XXI“ nga autori George Friedman.
Synimet turke
Janë dy shtete në glob që janë duke e përdorur strategjinë e ekspansionit kulturor për interesa të pastra ekonomike, pas të cilave sigurisht që fshihen synime imperiale. E para është Kina, kurse e dyta është Turqia. Përderisa Kina është duke e shtrirë ndikimin e saj në tërë globin përmes Instituteve të Konfuçies për të përhapur kështu gjuhën, kulturën dhe traditën kineze, për t’i shtrirë më pas interesat ekonomike dhe imperiale, Turqia në anën tjetër është duke investuar në ekspansion kulturor në Ballkan, Kaukaz, Lindje të Mesme, Afrikë Veriore dhe Azi Qendrore, po ashtu për t’i shtrirë më pas interesat ekonomike dhe imperiale.
Përderisa synimi kinez është shtrirja e saj imperiale në Azi Lindore, Juglindore dhe Jugore deri në Indi, synimi parësor i Turqisë është shtrirja e ndikimit në Mesdhe ashtu siç kishte qenë gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Osmane për të vazhduar në të ardhmen, nëse e mundshme, deri në Indi.
Aktualisht Turqia në Ballkan përdor dy instrumente për të shtrirë ndikimin e saj: në vende ortodoske investon në ekonomi, kurse në vende muslimane kryesisht në kulturë turke, përfshirë islamin politik duke qenë se e ka të gatshme infrastrukturën fetare me shumicë muslimane. Përpjekjet e Turqisë për ta paraqitur pushtimin e Perandorinë Osmane në Ballkan si administrim të rajonit shkojnë në drejtim të „image building“ për një Turqi panosmane. Turqia, ashtu sikurse Perandoria Osmane, e sheh Ballkanin më shumë si zonë frenimi përballë Evropës se sa ndonjë zonë me interes të veçantë ekonomik.
Si investimet ekonomike ashtu edhe ato kulturore e fetare çojnë ujë te synimet e Turqisë për t’u bërë fuqi rajonale, e cila pastaj do të mund të projektonte forcë drejt Evropës së plakur, drejt Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore në kaos dhe Azisë Qendrore ku është duke rënë ndikimi rus. Lidhjet e fuqishme ekonomike turke me BE, konkretisht me hapësirën gjermanofolëse krahas mbështetjes amerikane i sjellin avantazhe të mëdha Turqisë për të projektuar fuqi euroaziatike. Sigurisht që SHBA nuk do ta lejojë Turqinë të shkojë deri në përmasash të tilla.
Përparësitë e Turqisë
Turqia gjendet në një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik, sepse është urë lidhëse mes Evropës, Azisë dhe Afrikës. Ka një ekonomi eksplozive, popullsi të re dhe rritje të qëndrueshme demografike që i siguron konsum në rritje. Turqia mban armata të mëdha, sepse kufizohet me rajone jostabile siç janë Ballkani, Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Një Turqi sa më e fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht është interes para se gjithash SHBA-së për të penguar daljen e Rusisë në Mesdhe, për të penguar depërtimin e Rusisë sa më në jug të Kaukazit si dhe për të ulur ndikimin e Rusisë në Azi Qendrore.
Rënia graduale e Rusisë, dobësimi i Evropës (sidomos lidershipi franko-gjerman) dhe kaosi në Lindje të Mesme e bëjnë Turqinë stabilizatorin kryesor në Mesdhe dhe Lindje të Mesme. Sa më shumë që Turqia shtrin ndikimin në Ballkan dhe Lindje të Mesme aq më mirë për SHBA ngase kjo ul ndikimin edhe ashtu në rënie të Rusisë në Ballkanin (e lënë anash nga Evropa), por e ul edhe ndikimin në rritje të Iranit që është në rivalitet me SHBA në Lindje të Mesme.
Izraeli do të afrohet gjithnjë e më shumë me Turqinë pikërisht pse kjo e fundit shtrin ndikimin në botën arabe dhe ul ndikimin e Iranit. Edhe vendet arabe për ta ulur ndikimin e Iranit shiit do të lëvizin në drejtimin e Turqisë. Këto lëvizje çojnë ujë te Izraeli për t’u afruar me Turqinë. Sa më shumë që Turqia shtrin ndikimin në Kaukaz aq më mirë për SHBA për ta shtyrë Rusinë kah veriu. Rënia e Rusisë dhe mosinvestimi i BE-së në Ballkan automatikisht i krijon hapësirë Turqisë për ta mbushur boshllëkun e krijuar. Sa më shumë që Turqia projekton fuqi euroaziatike, aq më shumë do të largohet nga SHBA, ndërsa kjo e fundit do të bëjë të pamundurën t’i frenojë projeksionet turke.
Interesi afatgjatë i SHBA-së
Qëllimi madhor i SHBA-së ka qenë, është dhe do të jetë që masa tokësore e Euroazisë (Evropa dhe Azia) të mos bie me asnjë çmim nën asnjë hegjemon euroaziatik. Është vetë SHBA ajo që mbështet fuqira rajonale si baraspeshë në Euroazi, por nuk i mbështet ato aq shumë sa të rrezikohet vetë. Në momentin që fuqitë rajonale mundohen ta sfidojnë SHBA-në qoftë si të vetme apo në aleancë me njëra tjetrën, atëherë SHBA intervenon për t’i dëmtuar ato, por jo për t’i shkretuar. Qëllimi i SHBA-së është që të mirëmbajë statusin e superfuqisë së pakontestuar globale duke mos bërë të dobëtit shumë të dobët dhe të fortit shumë të fortë.
Kështu SHBA kishte mbështetur Britaninë e Madhe dhe Rusinë për ta mposhtur (por jo sakatuar) Gjermaninë Naziste, ashtu siç e kishte mbështetur Kinën për ta kapitulluar (por jo sakatuar) Japoninë në Luftën e Dytë Botërore. Të gjithë e dimë që si Gjermania ashtu edhe Japonia për shkak se nuk i kishte shkretuar SHBA, shumë pak kohë pas Luftës së Dytë Botërore u qenë bërë ndër fuqitë kryesore ekonomike në glob kuptohet të mbështetura edhe nga vetë SHBA.
Përderisa SHBA-së pas rënies së komunizmit i duhej patjetër lidershipi franko-gjerman për t’i dhënë shtysë zhvillimore Evropës dhe për ta frenuar Rusinë drejt Evropës, pas ardhjes së Putinit në pushtet BE po rrëshqiste çdo ditë e më shumë kah Rusia dhe kjo po e rriste mundësinë që Rusia e Putinit të bëhej hegjemon i Euroazisë, ashtu siç kishte projektuar Gjermania e Hitlerit me Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për ta prishur këtë aleancë evropiano-ruse, lufta në Ukrainë ishte e pashmangshme, sepse SHBA nuk mund të lejonte që fuqitë rajonale (Rusia dhe BE dhe kryesisht Gjermania) të bëheshin bashkë, të cilat më pas do të mund ta rrezikonin vetë sigurinë nacionale të SHBA-së.
Gjithsesi, SHBA sipas (George Friedman) do të projektojë Poloninë si fuqinë rajonale të ardhshme, duke e shtyrë kufirin e frenimit të Rusisë nga lidershipi franko-gjerman sa më në lindje drejt Polonisë e me gjasë edhe Ukrainës. Pra, pasi të përfundojë lufta Ukrainë-Rusi, do të jetë Polonia e mbështetur fuqishëm nga SHBA ajo e cila do të jetë kundërpesha e Turqisë në Ballkan dhe Mesdhe. Rënia e numrit të lindjeve dhe plakja e popullsisë do ta bëjnë Gjermaninë që para syve të saj ta sheh një Poloni në rritje që do t’ia zë vendin që e kishte si fuqia numër një ekonomike në Evropë.
Rritja e shpenzimeve ushtarake nga Polonia, mbështetja e fuqishme që ky shtet po i jep Ukrainës, pastaj zhvendosja e investimeve amerikane krahas armatosjes me teknologji ushtarake amerikane drejt Polonisë janë vetëm disa nga çështjet që në të ardhmen mund të ngjallin tensione mes Polonisë dhe Gjermanisë në rrafshin evropian. Në fakt ky tension polako-gjerman ka disa vite që është i shprehur në forma të ndryshme.
Ky shkrim nuk paraqet qëndrimet editoriale të redaksisë, por vetëm të autorit.