Seanca e 14-të e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, të mërkurën nuk përfundoi ashtu siç nisi.
Shkak për këtë, ishin përplasjet verbale dhe fizike mes asamblistëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.
Madje këtu, u tentua që hesapet të qërohen edhe në korridor. Për gjithë këtë, asamblistët e PDK-së, thonë se iu drejtuan edhe organeve të rendit.
“Unë me asamblistin tonë zotin Artan Berisha, kemi qenë në polici edhe përafërsisht nja orë kanë ndenjur në hetuesi duke dhënë deklaratë edhe duke përshkruar rastin se çka ka ndodhur. Sa i përket gjendjes jashtë, nuk ka pasur ndonjë konflikt fizik ose ndonjë goditje përveç fërkimeve, edhe i falënderoj edhe njëherë publikisht të gjithë asamblistët, të gjitha partive edhe të gjitha aktorët e tjerë që kanë tentuar me amortizuar situatën”, ka thënë Shkelqim Ibrahimi-asamblesit i PDK-së në këtë komunë.
Por, pavarësisht se rastin e paraqitën në polici, këta të fundit për Tëvë1 thonë se nuk ka elemente për inicim të rastit.
“Policia në koordinim me prokurorin kanë trajtuar ngjarjen, sipas prokurorit nuk ka elemente për inicim të rastit”, kanë thënë nga policia.
E nga Vetëvendosje në këtë qytet, një ditë pas rastit, thonë se skenat e tilla nuk i bëjnë nder askujt.
“Kështu ne kemi pasur edhe një takim me shefat e grupeve parlamentare dhe aty e kemi potencuar se kjo çfarë ka ndodhur sot është e papranueshme. Kjo nuk i bën nder askujt, sepse në këtë seancë të kuvendit komunal ne i kemi pasur disa pika shumë të rëndësishme për zhvillimin e Mitrovicës”, tha Kushtrim Zeneli-asamblesit i LVV-së.
Të mërkurën, edhe Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e mohoi se pati përplasje fizike mes asamblistëve.







