Karriget u vendosen në mes të rrugës.
E para tyre edhe shiriti i kuq.
Kjo meqë e enjtja, është një ditë e veçantë nëntori në fshatin që ia dha zërin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në hyrje të fshatit Negroc, do të përurohet obelisku në nderim të Jakup Krasniqit.
Këtu për t’i pritur mysafirët, doli i vëllai i Jakup Krasniqit, Dauti.
E nuk munguan, as fëmijët e ish-kryekuvendarit të Kosovës.
Kur të gjithë zunë vendin, të pranishmeve u drejtua djali i Jakup Krasniqit, Altini.
“Në emër të familjes sonë, ju shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që ia keni dëshmuar vazhdimisht familjarit, kushëririt dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqit. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira”, u shpreh ai.
Këtu nuk munguan as dy bashkëluftëtarët, të cilët bashkë me Jakup Krasniqin me 10 qershor të vitit 1998, e bën prezantimin e parë publik të UCK-së.
“E shoh këtë lapidar si mirënjohje për angazhimin dhe veprimtarinë e bacit Jakup, ama beteja që atje po zhvillohet nuk duhet të mbetet vetëm betejë e Jakupit, Hashimit, Kadriut, Rexhës e të tjerëve. Ajo është beteja jonë e përbashkët”, tha Fatmir Limaj.
“Ka vende ku historia ku nuk lexohet në libra por preket dhe përjetohet në vend. Këtu është Negroci një prej vendeve, kush hyn sot në këtë fshat hyn në një urë që nuk lidh dy brigje lumi por dy breza. Brezin që e bëri lirinë dhe brezin që duhet ta ruajë atë”, tha Ferat Shala.
Fjalë të mëdha për kontributin e ish-zëdhënësit të UCK-së, pati edhe i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmuar në shtet-ndërtimin, çlirimin e vendit, dhe tash po përballet padrejtësisht në Gjykatën e Hagës, dhe unë personalisht shpresoj me binde të madhe që Apeli do të lirojë heronjtë tani, Baci Jakup, Hashimi, Kadria, Rexha, Cali dhe të tjerët janë heronj në lirisë së Kosovës dhe janë ata të cilët nuk kanë bë asnjë krim por e kanë ruajt e kanë mbrojte, mbështet popullin tonë”, tha ai.
Ndryshe, në lapidarin e zbuluar në prag të 28 nëntorit, krahas Jakup Krasniqit, qëndron edhe fotografia e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe tri shkronjat e arta të UCK-së.







