Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kundërshtuar të enjten propozimin e fundit për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034, duke kërkuar shkurtime më të mëdha dhe duke përjashtuar mundësinë e huamarrjes së re.
“Propozimet aktualisht në tryezë nuk ofrojnë bazë për një marrëveshje. Vëllimi i përgjithshëm mbetet shumë i lartë”, deklaroi Merz para gazetarëve në Bruksel.
“Evropa ka nevojë për financa të qëndrueshme. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet të marrim borxh të mëtejshëm brenda Bashkimit Evropian.”
Ai theksoi se buxheti i ardhshëm duhet t’u japë përparësi mbrojtjes evropiane dhe mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë humanitar.
“Ju jeni në dijeni të qëndrimit tim: ne duhet të sigurohemi që Ukraina të vazhdojë të marrë mbështetje të mjaftueshme në vitet e ardhshme”, theksoi ai. “Kjo përfshin ndihmën ushtarake dhe humanitare – aspekti humanitar, në veçanti, nuk duhet të nënvlerësohet; ai është jetik”, tha Merz.
Kërkesa e Gjermanisë dhe vendeve të tjera kontribuuese për shkurtime të mëtejshme ka shkaktuar përplasje me disa shtete më të vogla anëtare, të cilat kundërshtojnë reduktimin e fondeve për rajonet më të varfra.
Komisioni Evropian kishte propozuar fillimisht një buxhet prej 1.985 trilionë eurosh, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, paraqiti më pas një propozim kompromisi prej 1.781 trilionë eurosh.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave gjermane, Berlini kërkon që buxheti të ulet në rreth 1.59 trilionë euro, që do të nënkuptonte shkurtime të tjera prej afërsisht 200 miliardë eurosh nga propozimi aktual.











