Njohja e Kosovës vazhdon të jetë një nga çështjet që ndan opinionin publik në Serbi sa i përket integrimit evropian të vendit.
Sipas një sondazhi të Institutit të Shkencave Sociale të Serbisë, 60.2 për qind e qytetarëve të anketuar do të votonin kundër anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian nëse një nga kushtet do të ishte njohja e Kosovës.
Në anën tjetër, nëse ky kusht nuk do të vendosej, 48.3 për qind e të anketuarve do të mbështesnin anëtarësimin në BE, ndërsa 35 për qind do të votonin kundër. 12.6 për qind nuk kanë një qëndrim të përcaktuar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se besimi në perspektivën evropiane të Serbisë mbetet i kufizuar. Rreth 46.6 për qind e të anketuarve nuk presin që vendi i tyre të bëhet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Evropian.
Interesant është fakti se edhe 19.4 për qind e atyre që mbështesin integrimin evropian nuk besojnë se Serbia do të arrijë ndonjëherë anëtarësimin.
Sondazhi është realizuar nga 21 maji deri më 25 shtator 2026, ku janë përfshirë 1 mijë e 248 qytetarë.





