Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Ligji për Specialen nuk mund të prodhojë efekte juridike deri në përfundimin e procedurave gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Hagë.
Në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Kryeziu ka thënë se mundësia e zbatimit të këtij ligji mund të shqyrtohet vetëm pasi të merret vendimi i shkallës së dytë në Gjykatën Speciale.
Sipas tij, pas përfundimit të procedurave në Hagë, mund të parashtrohen kërkesa për transferimin e personave të dënuar në Kosovë, si dhe të krijohen mundësi për shqyrtimin e çështjes së amnistimit nga presidentja.
“Ky ligj, nëse hyn në fuqi, nuk mund të vlejë derisa ta marrë verdiktin shkalla e dytë e Apelit. Ky ligj mund të ketë efekt pasi ta marrë verdiktin e dytë, do të thotë në Gjykatën e Hagës. Pastaj ka mundësi që ta marrë një efekt pozitiv, sepse ato janë tri kërkesa, ankesa, kërkesa dhe pastaj me kërku edhe me i kthyer me vuajt dënimin në Kosovë dhe presidentes me i dhënë hapësirë për amnistimin e tyre”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndërkaq, duke komentuar deklaratën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, lidhur me hapat e mëtejmë pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula, Kryeziu ka thënë se për këtë çështje duhet të kërkohet sqarim nga Gjykata Kushtetuese.
Haxhiu kishte bërë të ditur se Kuvendi ka kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore për të qartësuar procedurat e mëtejshme, përfshirë edhe pasojat që mund të ketë tejkalimi i afatit për rrëzimin e vetos presidenciale.
Lidhur me këtë, Kryeziu ka vlerësuar se afati për ushtrimin e vetos presidenciale tashmë ka përfunduar dhe se procedura për Ligjin duhet të trajtohet si një proces i ri.
“Duhet me e pyet Gjykatën Kushtetuese, kjo është problem burokratik. Vetoja është kryer për arsye se ata kanë pasur afat vetëm katër javë, pra ka përfunduar vetoja, nuk ka më veto. Tashmë ka filluar ligji i ri nga fillimi dhe nuk dihet kur mbaron”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe, afati i fundit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e UÇK-së është 27 nëntor 2026./teve1.info/







