Me të hyrë në sallë, votuan për prezencë.
Numrat ishin të nevojshëm për shkak të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Tri prej tyre ishin me shtetin suedez për të dënuarit me burgim.
Bëhet fjalë për transferimin e personave të dënuar, atë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, si dhe marrëveshjen për ekstradim.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla foli për rëndësinë e tyre.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, tha Donika Gërvalla.
Dritë të gjelbërt i dhanë të gjithë partitë në Kuvend.
Madje, Besnik Tahiri nga Aleanca, kërkoi që marrëveshjet ndërkombëtare të votohen me procedurë të përshpejtuar.
Për kërkesën e Tahirit, pati një përgjigje nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
“Ku thotë që veç për Presidenten kemi votu shpejtë…”, theksoi Haxhiu.
Të premten, deputetët votuan edhe për ratifikimin e traktatit për Ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me Belgjikën.



