Erërat e forta që kanë përfshirë komunën e Deçanit gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme në disa vendbanime, ndërsa ekipet emergjente komunale kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës për menaxhimin e situatës.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se ekipet përkatëse kanë intervenuar në rastet e nevojshme, duke ofruar mbështetje edhe për KEDS-in në riparimin e shtyllave elektrike të dëmtuara nga erërat.
Në terren janë angazhuar gjithashtu ekipet e NPL “Higjiena” dhe njësia e zjarrfikësve, të cilat po vazhdojnë punën për sanimin e dëmeve.
Sipas Ramosajt, dëmtime janë raportuar në disa fshatra, përfshirë Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc dhe Gramaçel, si dhe në vendbanime të tjera ku është paraqitur nevoja për intervenim.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha ekipet përgjegjëse, me qëllim që çdo situatë të trajtohet sa më shpejt”, ka shkruar Ramosaj në një postim në Facebook.
Autoritetet komunale po vazhdojnë të jenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të intervenuar aty ku paraqitet nevoja.








