Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë me homologun e tij hungarez, Péter Magyar, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se në takim është diskutuar për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Sipas tij, të dy kryeministrat kanë shprehur interesim për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në fushën e arsimit dhe ekonomisë.
“Jemi të interesuar për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në një sërë sferash, nga arsimi tek ekonomia”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, duke vlerësuar kontributin e saj me trupa për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Më tej, ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Budapestin në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
“Hungaria është një nga kontribuueset më të mëdha me trupa në kuadër të KFOR-it dhe ka rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale. Sa më e integruar dhe më e fortë institucionalisht të jetë Republika jonë aq më stabile e më prosperuese do të jetë e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe Budapesti është një nga qendrat e rëndësishme në rrugën euro-atlantike të Kosovës”, ka deklaruar ai./teve1.info/







