Mbretëria e Bashkuar ka reaguar lidhur me mundësinë e votimit të Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, që në senacën e së premtes është në rend dite.
Në një reagim të publikuar nga ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, i është bërë thirrje Kuvendit që të ketë konsultime të mëtejshme brenda institucioneve, por me Bashkimin Evropian.
“I bëjmë thirrje Kuvendit që të marrë kohë për konsultime të mëtejshme, si brenda institucioneve të vendit, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje më të përshtatshme”, thuhet nga reagim.
Sipas ambasadës britanike ndryshimet e propozuara nuk do janë në interes të Kosovës, duke shtuar se kanë parasysh edhe shqetësimet për aktgjykimin e Hagës.
“Ne kemi shqetësimin se ndryshimet e propozuara nuk do t’i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës, por përkundrazi, do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë. Kemi marrë plotësisht parasysh reagimet e forta dhe shqetësimet e shprehura lidhur me aktgjykimet e fundit. Megjithatë, besojmë se synimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke vazhduar respektimin e zotimeve ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet nga ambasada britanike.
Për mundësinë e votimit të këtij ligji ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasada gjermane, që kanë shprehur shqetësimet e tyre.







