Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mundësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada gjermane ka bërë të ditur se mbështet plotësisht qëndrimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me këtë çështje.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e publikuar.
Ndryshe, Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm nesër në Kuvend të këtyre ndryshimeve ligjore.
Sipas Zyrës së BE-së, ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Zyra e BE-së ka theksuar se ndryshimet ngrenë shqetësime edhe për kushtetutshmërinë e tyre, duke kërkuar konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.








