Mbrojtësi Lumbardh Dellova nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve.
Pasi mungoi në dy seancat e para stërvitore të “Dardanëve”, Dellova të martën është liruar nga grumbullimi, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës.
Dellova iu bashkua Kosovës në këtë grumbullim i lënduar dhe nuk ka arritur të rikuperohet me kohë për të qenë i gatshëm për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën.
“Pavarësisht dëshirës së madhe të lojtarit për të qenë në dispozicion të ekipit, ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se ai nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë ekipin në dy ndeshjet e radhës kundër Izraelit dhe Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve”, thuhet në njoftimin e FFK.
Kështu, Dellova i bashkohet Valmir Matoshit e Erblin Osmanit, të cilët për shkak të lëndimeve nuk janë grumbulluar me Kosovën edhe pse ishin ftuar nga selektori Franco Foda.










