Dy aeroplanë pasagjerësh janë inspektuar në Varshavë dhe një i tretë në Murcia të Spanjës , pas një serie kërcënimesh me bomba.
Mediat lokale në Bullgari thonë se një aeroplan që fluturonte nga Izraeli ka ulur gjithashtu në aeroportin e Sofjes , pasi një kërcënim për bombë u mor me email.
Një fluturim nga aeroporti Heathrow i Londrës bëri një ulje të paplanifikuar në aeroportin Modlin të Varshavës, ku u inspektua nga specialistë. Ai ishte duke udhëtuar drejt aeroportit kryesor të Varshavës, Chopin, me 181 persona në bord, raportoi BBC.
Një fluturim i dytë nga Kopenhageni për në aeroportin Chopin u përball gjithashtu me një kërcënim me bombë, raportuan mediat daneze. Ai u ul normalisht.
Ndërkohë, një aeroplan i Ryanair nga Mançesteri bëri një ulje emergjente në aeroportin e Murcias në Spanjën jugore, për shkak të një kërcënimi tjetër.
Në atë fluturim ndodheshin 121 persona në bord, përfshirë edhe ekuipazhin, sipas Francisco Lucas, delegatit të qeverisë spanjolle në rajonin e Murcias.
Incidentet e ndara ndodhën një ditë pasi një fluturim i Wizz Air nga Londra Luton bëri një ulje emergjente në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez, pas një kërcënimi me bombë.









