Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot me ceremoni të larta ushtarake në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, gjeneralmajorin Osborn, agjutant të përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit, Jashari i ka ndarë gjeneralmajorit Osborn Medaljen për Shërbim Vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në njoftimin e FSK-së thuhet se partneriteti ndërmjet dy forcave, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, dëshmon bashkëpunimin dhe miqësinë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Partneriteti ndërmjet FSK-së dhe GKA-së, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, mbetet një dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit, FSK-ja ka theksuar rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, me mesazhin: “Kosova dhe SHBA – partneritet i përhershëm!”.







