Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të martën se Uashingtoni do të ndalojë së ofruari ndihmë financiare Izraelit që nga fundi i vitit 2026, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Netanyahu dhe une kemi bërë një marrëveshje që t’i japim Izraelit 4 miliardë dollarë në vit, dhe kemi bërë një marrëveshje muaj më parë që ta ndërpresim, dhe ata janë pajtuar me këtë sepse, e dini, ata janë bërë një shtet i suksesshëm që më nuk kanë nevojë, dhe nuk do të paguajmë më për Izraelin”, ka thënë Trump për Fox Neës.
Ai shtoi poashtu se Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë asistencë nëse ka nevojë, duke e përshkruar Izraelin si një partner rajonal me të cilin SHBA-ja ka mbajtur një “lidhje të jashtëzakonshme”, me Tel Avivin si partneri më i vogël.
Trump sqaroi se ndërprerja aplikohet më gjerësisht te grantet financiare direkte dhe transferet e materiale mbrojtëse.
“Mund ta konsideroni shkëmbim. Mund të konsideroni ndihmë ushtarake ose para në dorë. Shikoni, ne u japim atyre 4 miliardë dollarë në gjëra dhe para, dhe ata nuk kanë nevojë për to”, tha ai.
Presidenti pohoi se ndërprerja e paketave të ndihmës së huaj nuk do të ndalojë transaksionet tregtare të armëve, duke theksuar se Izraeli mbetet i lirë të blejë pajisje mbrojtëse amerikane në tregun e hapur sepse SHBA-të prodhojnë “armët më të mëdha në botë”.
Zyrtarët e qeverisë izraelite nuk kanë komentuar mbi deklaratat e Trump dhe as nuk kanë konfirmuar ndonjë marrëveshje zyrtare për të ndërprerë ndihmën vjetore të SHBA-së.









