Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim në Berlin me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Sipas njoftimit zyrtar, në qendër të diskutimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë te marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Zulfaj ka theksuar se Kosova ka shënuar progres demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit, duke kërkuar që ky progres të reflektohet në hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, përmes një vlerësimi të drejtë dhe të bazuar në merita.
Ai ka vlerësuar se pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin e arritur, duke rikujtuar se gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit.
Sipas Zulfajt, mungesa e një vendimi për këtë çështje nuk përputhet me premtimet e dhëna në Samitin e Selanikut dhe deklaratat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Mungesa e vendimmarrjes së BE-së për statusin kandidat bie ndesh me premtimin e dhënë në Samitin e Selanikut dhe me deklaratat e njëpasnjëshme të BE-së për perspektivën e Kosovës për anëtarësim në BE”, ka deklaruar ai.
Në këtë drejtim, kryenegociatori ka theksuar rëndësinë e rolit të Gjermanisë si një vend kyç brenda BE-së, në mënyrë që të kontribuojë në avancimin e procesit dhe marrjen e vendimit për statusin kandidat të Kosovës.
Në fund, Zulfaj e ka falënderuar ministrin gjerman, Gunther Krichbaum, për bashkëbisedimin e hapur./teve1.info/







