Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 62 vota për rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Propozimi përmbante shtatë amendamente, por mbështetjen e deputetëve e morën vetëm dy prej tyre, ndërsa amendamentet e propozuara nga opozita nuk u miratuan.
Gjatë debatit parlamentar para votimit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka kritikuar propozimin e Qeverisë, duke e cilësuar si mbulesë për 120 milionë euro, për të cilat, sipas tij, ishte vendosur në fillim të vitit. Ai ka thënë se propozimi ka probleme si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë përmbajtësor.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, duke ngritur shqetësimin se ndryshimet lidhen me mbulimin e pagës së 13-të, e cila ishte ndarë në fillim të këtij viti.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, i ka cilësuar ndryshimet e propozuara si dinakëri të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Akuzave të opozitës u është përgjigjur ministri Murati, i cili ka thënë se paga e 13-të për këtë vit është paraparë në buxhet dhe tashmë është paguar. Sipas tij, ndryshimet e propozuara synojnë mbulimin e hendekut financiar të krijuar nga alokimi i parakohshëm, ndërsa paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027.
“Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar. Kjo që po ndodh është mbulimi i hendekut nga alokimi i parakohshëm ashtu siç e ka paraparë Ligji i Buxhetit. E paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Murati.
Ai ka shtuar se ndryshimet kanë të bëjnë edhe me pagesat retroaktive për diferencën e shtesës së përvojës së punës.
Pas kësaj, debati mes deputetëve dhe ministrit ka vazhduar. Hoti e ka quajtur Muratin “abuzuesin më të madh që ka pasur ndonjëherë Qeveria e Kosovës”, duke e akuzuar edhe për gënjeshtra. Ndërkaq, Bajrami e ka cilësuar përgjigjen e ministrit si “keqplanifikim të planifikuar”, ndërsa Haxhiu e ka quajtur atë “mashtrues”.
Hoti dhe deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kanë kritikuar gjithashtu Qeverinë për kërkesën lidhur me ndarjen e dividendëve nga kompanitë publike.
Në shtator, Qeveria kishte miratuar ndryshimet që parashihnin rialokimin e 102 milionë eurove për mbulimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe pagesat retroaktive për diferencën e shtesës së përvojës së punës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shtesa e përvojës së punës prej 0.5 për qind për çdo vit pune ishte ndryshuar me Ligjin për Paga të vitit 2022. Me atë ligj, për 15 vitet e para të përvojës shtesa ishte ulur në 0.25 për qind për vit, ndërsa pas vitit të 15-të ishte përcaktuar në 0.5 për qind. Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë ndryshim antikushtetues, pas së cilës qytetarët nisën të paraqesin padi për kompensimin retroaktiv të diferencës.
Gjatë shqyrtimit të amendamenteve, debat nxiti edhe propozimi për ndarjen e një milion eurove për mbulimin e protezave për invalidët e luftës. Megjithatë, deputetët nuk e mbështetën amendamentin e propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale.







