Kriminologia Dita Makasqi, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke theksuar se rasti nuk duhet të trajtohet vetëm si një tragjedi familjare, por si një alarm për gjithë shoqërinë dhe sistemin institucional. Ajo ka ngritur shqetësime për mënyrën se si vlerësohet rreziku ndaj grave që kërkojnë ndihmë dhe për rëndësinë e identifikimit të hershëm të shenjave të dhunës.
Duke komentuar rastin, Makasqi tha se është veçanërisht e rëndë kur një grua u drejtohet institucioneve për të kërkuar mbrojtje, por përfundon e vrarë. Sipas saj, raste të tilla kërkojnë shqyrtim të mënyrës se si është identifikuar rreziku dhe nëse janë ndërmarrë masat e duhura për parandalimin e tragjedisë.
“Është jashtëzakonisht e rëndë kur një grua kërkon mbrojtje dhe përfundon e vrarë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një tragjedi familjare, por me një alarm që ka dështuar e gjithë shoqëria dhe i gjithë sistemi”, ka deklaruar Makasqi në emisionin “Ditari”.
Ajo ka theksuar se vrasjet e grave në kontekstin e dhunës me bazë gjinore shpesh lidhen me modele të kontrollit dhe dominimit, ndërsa paralajmërimet për rrezik duhet të merren seriozisht nga institucionet përgjegjëse.
Sipas Makasqit, dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si një incident i izoluar, por si një proces që kërkon vlerësim të vazhdueshëm të rrezikut, si para raportimit të rastit, ashtu edhe pas tij.
“Dhuna në familje nuk mund të merret si një incident i cili ka ndodhur dhe është dashur të izolohet. Është një proces ku duhet të bazohet para raportimit edhe pas raportimit, dhe ne si institucione nuk i kemi vlerësuar rrezikshmëritë e larta”, është shprehur ajo.
Makasqi ka ngritur shqetësimin se në rastet me rrezik të lartë nuk mjafton vetëm marrja e deklaratës së viktimës, por duhet të përdoren instrumente të posaçme për të vlerësuar nëse jeta e saj është në rrezik.
Duke iu referuar rastit të Arlinda Zekajt, Makasqi ka theksuar se ekzistenca e një letre përmes së cilës viktima kishte kërkuar ndihmë e bën edhe më të rëndësishëm shqyrtimin e reagimit institucional.
Ajo ka thënë se, përveç identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar për vrasjen, duhet të analizohet nëse kishte shenja paralajmëruese që mund të identifikoheshin më herët dhe nëse rreziku mund të zvogëlohej përmes ndërhyrjes në kohë.
“Shumë herë para dhunës ekstreme ekzistojnë sjellje kontrolluese dhe gjithmonë ka kërkesa për ndihmë. Në këtë rast, shumë e dhimbshme ta them këtë, por kemi një deklaratë, kemi një letër e cila na dëshmon se viktima ka kërkuar ndihmë”, ka deklaruar Makasqi.
Ajo ka nënvizuar se jo të gjitha viktimat arrijnë t’i shprehin hapur presionet dhe dhunën me të cilat përballen, prandaj institucionet duhet të jenë të kujdesshme në vlerësimin e çdo rasti dhe të mos mbështeten vetëm në një deklaratë të vetme.
Sipas saj, pyetja kryesore nuk duhet të jetë vetëm kush e kreu vrasjen, por edhe nëse kishte sinjale që mund të identifikoheshin më herët për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
“Pyetja që duhet ta bëjmë nuk është vetëm se kush e kreu vrasjen, siç bëjmë edhe në rastet e tjera, mirëpo gjithmonë është ajo: a kishte sinjale që mund të identifikoheshin më herët dhe mund të ishte zvogëluar rreziku?”, ka thënë ajo.
Në fund, Makasqi ka theksuar se një shoqëri serioze nuk mund të kënaqet vetëm me arrestimin e personit të dyshuar pas një tragjedie, por duhet të analizojë edhe mënyrën se si mund të parandalohen rastet e ardhshme.
Ajo ka bërë thirrje që rasti i Arlinda Zekajt të mos mbetet vetëm temë e diskutimit publik për disa ditë, por të shërbejë si shtysë për shqyrtimin e mangësive të mundshme dhe për përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave që kërkojnë ndihmë.







