Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës, Astrid de Vries, të cilës i uroi mirëseardhje dhe i dëshiroi suksese në detyrën e saj. Ndërsa pranoi urime për mandatin e ri qeverisës dhe për zgjedhjen e Presidentes.
Teksa përmendi synimet për zgjerimin e bashkëpunimit të mirë me Mbretërinë e Holandës, edhe në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe atë të bujqësisë, kryeministri tha se po punojmë që sa më parë të përmbyllim negocimin, ta nënshkruajmë e më pas ratifikojmë, marrëveshjen për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave.
“Në takimin e parë të kryeministrit Kurti me ambasadoren e re Astrid de Vries, u bisedua për konsultimet politike ndërmjet Holandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Kosovës, me qëllim rritjen e bashkërendimit strategjik. Sikurse për prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri, nga hekurudhat e digat, te reformat në administratë publike, në arsim e në drejtësi.
Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës e çmon mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Holandës dhe e vlerëson thelbësor rolin e saj në raport me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe proceset tjera integruese euro-atlantike. Ai shtoi se vendi ynë është falënderues për kontributin e Holandës në trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe jemi të gatshëm të avancojmë ndërveprimin në fushën e mbrojtjes”, njoftoi zyra e Kryeministrit.







