Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar përgjegjësi institucionale, dorëheqje dhe shkarkime pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka propozuar edhe themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe reagimet e institucioneve përgjegjëse.
Tahiri ka thënë se rastet e dhunës ndaj grave kërkojnë reflektim dhe llogaridhënie institucionale, duke theksuar se nuk mjafton që institucionet të reagojnë vetëm pasi ndodhin tragjedi të tilla.
Sipas tij, vrasja e Arlinda Zekajt duhet të shërbejë si pikënisje për shqyrtimin e përgjegjësive dhe për ndërmarrjen e veprimeve konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.
“Është duke u bërë një fenomen, i cili në Kosovë na obligon, sidomos neve që jemi në Kuvend, mirëpo edhe institucionet përgjegjëse të reflektojnë dhe mbi të gjitha të kërkojmë përgjegjësi. Nuk mjafton vetëm të shprehim ngushëllime, të dënojmë rastin, nuk mjafton të vazhdojmë të flasim vetë, atëherë kur ndodhin tragjeditë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se, sipas tij, rasti kërkon edhe veprime konkrete në nivel institucional, duke përmendur dorëheqjet dhe shkarkimet si forma të përgjegjësisë etike.
“Sot do të duhej të kishte reflektim, dorëheqje, shkarkim, si veprim etik ndaj një ngjarjeje, e cila i shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve”, është shprehur ai.
Tahiri ka shtuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si një varg rastesh të izoluara, por duhet të analizohet edhe nga këndvështrimi i përgjegjësisë institucionale dhe i rolit të shtetit në mbrojtjen e viktimave.
“Dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si një varg apo si një veprim i izoluar, e qe besa jo vetëm si femicid. Duhet të trajtohet edhe prej perspektivës së përgjegjësisë, dhe pyetjes ku ka qenë dhe ku është shteti”, ka thënë Tahiri.
Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës ka kërkuar që përmes një rezolute të Kuvendit të adresohen tri çështje kryesore: hetimi i përgjegjësisë institucionale, themelimi i një komisioni hetimor parlamentar dhe marrja e masave konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Sipas Tahirit, fillimisht duhet të zhvillohet një hetim i plotë për të identifikuar përgjegjësitë në hierarkinë institucionale dhe për të sqaruar nëse institucionet kanë vepruar me kohë dhe në përputhje me detyrimet e tyre.
“Për ne, është jashtëzakonisht e rëndësishme që prej Kuvendit, prej kësaj rezolute, të adresohen tri çështje. E para lidhet me kërkesën për një hetim të plotë dhe një identifikim të përgjegjësisë institucionale. Ne si Kuvend kërkojmë nga të gjitha institucionet që të bëjnë një hetim të hierarkisë institucionale dhe të shohim pse nuk është vepruar apo, në qoftë se është vepruar gabim, pse ka ndodhur ajo”, ka deklaruar ai.
Propozimi i dytë lidhet me themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të shqyrtonte në detaje reagimin e institucioneve përgjegjëse dhe do të identifikonte mangësitë e mundshme sistematike.
Sipas Tahirit, ky komision do të duhej të propozonte edhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, përfshirë përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave.
Çështja e tretë, sipas tij, ka të bëjë me hartimin dhe zbatimin e masave për parandalimin e dhunës ndaj grave, të cilën ai e ka cilësuar si një problem në rritje në shoqërinë kosovare.
Tahiri ka theksuar se Kuvendi dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar që paralajmërimet për rrezik të trajtohen me seriozitet dhe që përgjegjësitë institucionale të mos mbeten pa u shqyrtuar.
Propozimet e tij vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast që ka nxitur debat në Kuvendin e Kosovës për reagimin e institucioneve, llogaridhënien dhe nevojën për mekanizma më efektivë në mbrojtjen e grave nga dhuna.







