Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar hetim të plotë për rrethanat që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke theksuar se ngushëllimet nuk janë të mjaftueshme pa veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gërvalla, e cila mban edhe rolin e koordinatores kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, ka folur për këtë rast në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë fjalës së saj, Gërvalla ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje tragjike, duke nënvizuar se rasti duhet të shërbejë si thirrje për veprim institucional.
“Vrasja e Arlindës e ka tronditur thellë Kosovën dhe disi ta vërteton shprehjen që veç një burrë i lig e ngre dorën dhe vret ose rrah një grua”, ka deklaruar Gërvalla nga foltorja e Kuvendit.
Ministrja ka theksuar se institucionet kanë përgjegjësi të veprojnë për të parandaluar raste të tilla, veçanërisht kur bëhet fjalë për gra që kanë kërkuar ndihmë dhe mbrojtje paraprakisht.
“Ngushëllimet, sado të sinqerta, nuk mjaftojnë. Përgjegjësia jonë është të veprojmë, aq më tepër që vrasësi ende është në arrati”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për efektivitetin e masave që synojnë parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave, duke kërkuar që të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas saj, hetimi duhet të përqendrohet në faktet dhe në mënyrën se si është trajtuar rasti para se të ndodhte tragjedia, pa paragjykuar përgjegjësinë e personave apo institucioneve të përfshira.
“Krimi brutal i mbrëmshëm, vrasja e një tjetër gruaje, na rikthen doemos te pyetja më thelbësore: a po bëjmë gjithçka që dhuna të parandalohet dhe jeta të mbrohet? Kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, ne kemi detyrimin të shqyrtojmë jo vetëm krimin që u krye, por edhe të gjitha rrethanat që i paraprinë atij”, ka deklaruar ministrja.
Në deklaratën e saj në Kuvend, Gërvalla iu referua edhe rolit që mban në kuadër të strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna ndaj grave.
“Në cilësinë time si Koordinatore Kombëtare e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen e Grave nga Dhuna, më lejoni të shpreh ngushëllimet për këtë vrasje”, ka thënë ajo.
Megjithatë, deklarata e ministres vjen në një kohë kur në Kuvend është hapur debat për përgjegjësinë institucionale në rastin e Arlinda Zekajt dhe për efektivitetin e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave.
Rasti ka nxitur kërkesa nga përfaqësues të partive të ndryshme për hetim të plotë, llogaridhënie dhe identifikim të çdo mangësie të mundshme institucionale.







