Gjatë 13 ditëve të protestave të thirrura nga studentët dhe qytetarë të tjerë, Policia e Shtetit ka arrestuar më shumë se 270 persona, ndërsa 344 të tjerë janë proceduar penalisht. Po ashtu, 60 persona kanë mbetur në kërkim policor.
Në komunikatat e përditshme që nga nisja e protestave, Policia e Tiranës ka deklaruar se personat e arrestuar dyshohen kryesisht për akte dhune ndaj zyrtarëve policorë, si dhe për dëmtim të pronës publike dhe private gjatë protestave.
Sipas policisë, protestuesit kanë sulmuar zyrtarët policorë me gurë, vida dhe sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, mjete piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
Sipas Policisë së Shtetit, personat e proceduar penalisht kanë kryer akte më të pakta dhune, por kanë nxitur të tjerët për të ushtruar dhunë ndaj policisë dhe jo vetëm.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 65 persona pjesëmarrës në protesta, ndërsa në total, më shumë se 200 zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar.
Gjatë 13 ditëve të protestave janë shënuar edhe dy raste të djegies së objekteve të komisariateve të policisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke lënë të lënduar zyrtarë policorë që ndodheshin në krye të detyrës në momentin e sulmeve.
Megjithatë, gjatë gati dy javëve të protestave janë raportuar edhe raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e zyrtarëve të Policisë së Shtetit.
Ndër rastet më të rënda janë plagosja në sy e një 28-vjeçari me plumb gome, dhunimi i një 45-vjeçari pasi ishte neutralizuar, si dhe dhunimi i një të riu, të cilit i është thyer njëra nga gjymtyrët e poshtme.
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra nëntë zyrtarë policorë dhe ka nisur ndaj tyre hetime disiplinore për tejkalim të kompetencave, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe trajtim të papërshtatshëm të protestuesve.
Hetimet për këto raste po vazhdojnë edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.



