Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të përfundojnë regjistrimin e punëtorëve në Sistemin Elektronik EDI deri me datë 31 tetor 2026.
Në njoftimin e ATK-së thuhet se ky detyrim vlen për të gjithë punëtorët që aktualisht janë në marrëdhënie pune.
“Punëdhënësit që ende nuk e kanë kryer regjistrimin duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme brenda afatit të përcaktuar. Regjistrimi realizohet përmes Sistemit Elektronik EDI, ku duhet të plotësohet formulari përkatës për secilin punëtor, me të dhëna të plota dhe të sakta, në përputhje me gjendjen faktike të punësimit.
Përmbushja e këtij detyrimi është e rëndësishme për zbatimin e legjislacionit tatimor dhe për mbajtjen e të dhënave të sakta dhe të përditësuara për të punësuarit”-njofton ajo.
ATK-ja u ka bërë thirrje punëdhënësve që të mos e lënë këtë proces për ditët e fundit, duke paralajmëruar se mosplotësimi dhe mosdeklarimi i të dhënave mund të jetë subjekt i masave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Për lehtësimin e procesit, punëdhënësit mund të shfrytëzojnë edhe “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, i cili është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI.







