Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë të enjten, në lexim të dytë, Projektligjin për Byronë për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Vendimi për mbajtjen e seancës plenare u mor të hënën nga Kryesia e Kuvendit, ndërsa projektligji është përfshirë në rendin e ditës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, shprehu shpresën që projektligji të miratohet sa më shpejt, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të projektligjeve pa vonesa.
“Kryesia e Kuvendit vendosi që të enjten, pra këtë të enjtë, në orën 10:00, të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare, për të trajtuar tema të cilat janë shumë të rëndësishme. E para, edhe projektligji mbi ndarjet buxhetore, por po ashtu edhe projektligji shumë i rëndësishëm për Byronë, pra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Një nismë që ka nisur para shumë viteve, por fatkeqësisht ende nuk ka arritur që të finalizohet dhe që të jetësohet, prandaj unë uroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë projektligj do ta miratojë dhe pastaj do t’i hapet rrugë zbatimit të tij, së pari jetësimit e pastaj zbatimit të qëllimit të këtij ligji në praktikë”, tha Haxhiu.
Miratimi i projektligjit në lexim të dytë do të shënonte një hap të radhës drejt procedimit të tij për zbatim. Ajo ka theksuar se Kuvendi do t’i trajtojë pa vonesa projektligjet që procedohen nga Qeveria, si dhe do të shqyrtojë nisma të reja parlamentare.








