Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kritikuar një gazetare dhe mediumin ku ajo punon lidhur me raportimin për vdekjen e një pacienteje me kancer, për të cilën Shoqata e Pacientëve me Kancer “Renesansa” kishte pretenduar se kishte mbetur pa terapinë e nevojshme.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa një proces të duhur mjekësor. Ai ka pretenduar se lajmi ishte publikuar pa u bërë verifikimet e nevojshme me shoqatën dhe institucionet shëndetësore.
Në fillim të fjalës së tij, ministri ka shprehur ngushëllime për familjarët e pacientes së ndjerë, ndërsa ka treguar se, pas publikimit të njoftimit nga shoqata, Klinika e Onkologjisë ishte përpjekur të siguronte informacione të mëtejshme për rastin.
“Më lejoni më së pari të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjarët dhe rrethin e së ndjerës. Të dashur qytetarë, po ashtu më lejoni që në pika të shkurtra të tregoj se çfarë ndodhi mbrapa: një shoqatë e bën një status ku thotë që një paciente ka vdekur për shkak të mungesës së barnave. Klinika e Onkologjisë bën përpjekje që të kontaktojë me këtë shoqatë, fillimisht e pamundur, pastaj një gazetare, pa bërë asnjë verifikim të lajmit, pa bërë asnjë konfirmim të lajmit, e paraqet menjëherë, bile edhe në lajmet qendrore të një mediumi. Paramendojeni, të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë”, ka deklaruar Vitia.
Ministri ka insistuar se shkaku i vdekjes së pacientes nuk mund të përcaktohet vetëm nga një njoftim në rrjetet sociale, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar rasti nga gazetarja dhe mediumi.
“Nuk mundet as mjeku me konstatu shkakun e vdekjes në raste të tilla. Duhet një sërë procedurash për të dalë me konstatime, kurse gazetarja, siç shihet, jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë, dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status i cili ka qenë në Facebook. Pra, të jem i qartë edhe një herë, gazetarja nuk ka ndjekur asnjë procedurë të verifikimit të lajmit me shoqatën, as pyetje, domethënë as me shoqatën, pa as pyetje të tyre për institucionet”, ka thënë ai.
Vitia ka ngritur edhe mundësinë që raportimi të jetë bërë për të tërhequr më shumë vëmendje, duke lënë të hapur edhe pretendimin se mund të ketë pasur ndikime të tjera.
“Si duket, ose e priret për më shumë klikime për të bërë lajm, ose ndoshta edhe është shtyrë nga dikush tjetër, që jam i sigurt që nuk do ta kishte bërë vetë lajm pa e verifikuar paraprakisht lajmin, qoftë me shoqatën, qoftë me institucionet, siç e pamë edhe sot, edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të qenë më keq, që folësja paraprake realisht ka dhe familjarë doktorë që i është dashur me ia tregu si përcaktohet shkaku i vdekjes”, është shprehur ministri.
Gjatë fjalës së tij, Vitia ka bërë të ditur se drejtori i Klinikës së Onkologjisë kishte mbledhur informacionet për rastin dhe më pas kishte publikuar një reagim për të sqaruar situatën.
Ministri ka kritikuar mediumin për të cilin bëhet fjalë, duke pretenduar se ai nuk e kishte publikuar reagimin institucional, ndonëse mediat e tjera që kishin raportuar për rastin e kishin përcjellë edhe sqarimin e Klinikës së Onkologjisë.
“Në ndërkohë, qytetarë të nderuar, drejtori i Klinikës Onkologjike i merr të gjitha informacionet dhe del me një reagim publik ku shpjegon të gjithë situatën. Dhe për çudi, për çudi, të gjitha mediat që e kanë shpërndarë paraprakisht lajmin e pasaktë e tendencioz që e ka bërë një gazetare, e qesin e publikojnë reagimin institucional, përveç gazetares edhe mediumit që e ka plasuar”, ka deklaruar Vitia.
Deklaratat e ministrit erdhën pasi deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ngriti shqetësimin për mungesën e terapisë për pacientët me kancer dhe për rastin e pacientes që, sipas Shoqatës “Renesansa”, kishte mbetur për rreth katër muaj pa medikamentin Palbociclib.










