Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar sot se shpreson që Samiti i Procesit të Berlinit t’i jep shtysë zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve është pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Gjermania e ka mbështetur Procesin e Berlinit për shumë vite.
“Ne e kemi mbështetur Procesin e Berlinit për shumë vite, sepse mendojmë se është një forum i rëndësishëm për rajonin, për të avancuar bashkëpunimin rajonal. Natyrisht, pjesë e bashkëpunimit rajonal është zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Prandaj, shpresojmë që në samitin e sotëm t’i japim shtysë këtij procesi”, tha Rudolph KosovaPress.
Kujtojmë, në Budva të Malit të Zi po mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku janë mbledhur liderë nga Evropa dhe Ballkani.
Në takim marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kancelari austriak Christian Stocker, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian.
Ai filloi dhe u prezantua në gusht 2014, nga kancelarja gjermane Angela Merkel.








