Banka e Shqipërisë përmes një deklarate për media ka njoftuar sot qytetarët se depozitat dhe kursimet e tyre janë të sigurta dhe se sistemi i pagesave vijon të funksionojë normalisht pavarësisht zhvillimit të protestave të dhunshme në Tiranë.
Në deklaratë thuhet se Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht incidentet që kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme të shërbimeve në disa pika bankare.
“Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.”
Banka e Shqipërisë siguron publikun se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve.
Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar.
Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre.










