Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë të re PDK-së për zgjidhjen e ngërçit politik, duke propozuar që, nëse grupi parlamentar i PDK-së zotohet se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, shumica ta votojë menjëherë në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka thënë se PDK-ja e ka refuzuar më herët ofertën për mbështetjen e kandidatit për president, Bekim Sejdiu, ndërsa ka përmendur Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin si emra që, sipas tij, mbeten aktualë nëse ka interesim nga opozita.
“Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim prof. Bekim Sejdiun, e unë besoj që, në rast të përgjigjes së tyre pozitive, prof. Bekimi do të rikthehej. Përveç këtij, natyrisht, i kemi edhe dy emra të cilët këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president, Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita.
Të nderuar gazetarë, propozimi ynë më i ri është ky: meqë nuk po mund ta takoj kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Ne, pas zotimit të tyre, menjëherë do t’ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh ndërmjet dy leximeve.
Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej, sonte menjëherë, votimi për president: Glaukun ose Feriden”, tha ai.







