Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar që Presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhet deri më 4 tetor, në mënyrë që të shmanget pasiguria lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të afatit gjashtëmujor.
Në një konferencë për media, Eugen Cakolli dhe Vullnet Bugaqku nga KDI kanë prezantuar analizën “Ushtrimi i detyrës së Presidentit përtej gjashtë muajve: Kufiri kushtetues dhe vazhdimësia e Presidencës”.
Sipas KDI-së, ekziston nevoja që të sqarohet baza kushtetuese për vazhdimin e ushtrimit të kompetencave nga ushtruesja e detyrës së Presidentes pas skadimit të afatit gjashtëmujor.
KDI ka ngritur në veçanti çështjen e kompetencave që mund të ushtrohen në rast se Presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, përfshirë edhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve.
Për këtë çështje, KDI ka kërkuar që Kryetarja e Kuvendit ose palët e tjera të autorizuara të shqyrtojnë menjëherë mundësinë e paraqitjes së një kërkese në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim të sqarimit të aktgjykimit të 29 shtatorit 2026.
Instituti i është referuar praktikës së vitit 2011, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar kërkesat eventuale për interpretim.
KDI vlerëson se një sqarim i tillë do të ndihmonte në shmangien e pasigurisë institucionale lidhur me vazhdimësinë e ushtrimit të funksionit të Presidentit.




