Punon që 26 vite në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, të shtunën e 19 shtator, hetuesi Vehap Morina, u përball me një nga rreziqet më të mëdha për jetën, në gjithë karrierën e tij.
Gjatë detyrës zyrtare, ai rastësisht hyri në një lokal ku po ndodhte një rrahje mes dy personave.
I veshur në rroba civile, ai tentoi ta ndalojë këtë incident, por gjithçka ndryshoi kur i dyshuari tentoi ta nxerrte armën nga brezi.
“Aty menjëherë kam reagu, kam bërtit: Polic jam, laroghuni tjerët, se ka pasë edhe qytetarë edhe kamarierë, ka qenë vendi shumë me qytetarë aty. Pastaj kam rreziku armën me ia heqë prej dorës, çdo send e kam llogaritë që arma mos me shkrepë, armën ia kam tëheq prej dorës pastaj kanë fillu edhe përleshjet” , ka thënë Vehap Morina.
Për pasojë, Morina u plagos me mjet të mprehtë në dorën e tij.
“E kam shti të dyshuarin nën kontroll. Pasi kam dalë prej atyhit ka ardhë edhe Urgjenca, e kam vërejt se kam një lëndim, ma kanë dhënë ndihmën e parë për momentin… Lëndimet janë të natyrës së lehtë, e kam një lëndim të lehtë këtu edhe këtu lëndimi është me këto sipas mjekut por mirë është çdo send në rregull” , u shpreh tutje Morina
Megjithatë, hetuesi thotë se plagët janë të lehta, krahasuar me dëmin që do mund të shkaktohej, andaj shprehet i lumtur për veprimin e tij.
“E kam parë që në rregull është, nga arma askush nuk ka marrë lëndime, atëherë unë e kam ndierë veten edhe më lehtë edhe më mirë se nuk ka ndodhë më e keqja… Është motiv edhe për policët e rinj në detyrë që janë, është motiv për të gjithë, jemi në shërbim të qytetarëve, dhe me qenë gjithmonë vixhilent po edhe nëse nuk janë në detyrë, edhe nëse e dëgjon një informatë, ndonjë person e ka mendimin e keq, mban diçka duhet me raportu, informu ose me ndërhy që mos e u shfaqë rreziku më i madh” , theksoj Morina.
Për veprimin e tij, drejtori rajonal i Policisë në Prizren, i ka ndarë edhe mirënjohjes Morinës, duke vlerësuar lartë heroizmin e treguar.
Ndërkaq, ndaj të dyshuarit, Gjykata Themelore në Prizren tashmë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.



