Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se subjekti i saj politik është i gatshëm t’i tërheqë që nesër lëndët e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) zotohet publikisht se do ta mbështesë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se PDK-ja kërkon nga LVV-ja edhe zotimin për mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe trajtimin e këtij procesi me përgjegjësi shtetërore.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Hamza, gjatë një konference për media në objektin e Kuvendit tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje në një përgjigje për Tëvë1 ka bërë të ditur se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, ndërsa propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit do ta shqyrtojë nga aspekti juridik./teve1.info/
LVV për nismën e PDK-së për Specialen: Presim vendimin e Kushtetueses para çdo veprimi







