Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se Shqipëria do të shënojë një kapitull të ri më 21 shtator, duke nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjet Artemis në selinë qendrore të NASA-s në Uashington.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria bëhet zyrtarisht vendi i 73-të i globit që i bashkohet kësaj nisme ndërkombëtare vizionare për eksplorimin e sigurt dhe paqësor të hapësirës.
“Një hap gjigant për Shqipërinë! Shqipëria do të nënshkruajë Marrëveshjet Artemis më 21 shtator në selinë e NASA-s në Washington, duke u bërë vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme, e cila përfshin një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë”, shkruan ambasada amerikane në Tiranë.
Marrëveshjet Artemis, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe NASA në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit, përbëjnë një kuadër parimesh praktike të bazuara në Traktatin e Hapësirës të vitit 1967.
Ato synojnë të udhëheqin bashkëpunimin ndërkombëtar në eksplorimin civil hapësinor, me fokus të veçantë në rikthimin e njeriut në Hënë, përgatitjen e misioneve të ardhshme drejt Marsit dhe përdorimin e përgjegjshëm të hapësirës kozmike.




